Wilder mbron titullin WBC, Fury e provokon në ring

Wilder mbron titullin WBC, Fury e provokon në ring

Deontay Wilder mbrojti me sukses titullin e kampionit të botës në peshat e rënda, të versionit WBC në boks. Në duelin e zhvilluar në Brooklyn, 30-vjeçari mposhti sfidanti Artur Szpilka.

Një sukses me knock-out në raundin e 9-të, nga 12-të që ishin programuar në sfidën për titullin. Boksieri nga Alabama, që njihet me nofkën “Bombarduesi i Bronztë”, regjistroi fitoren e 30-të në po kaq duele të zhvilluara në karrierën si profesionist.

Në 29-të raste Wilder i ka mbyllur sfidat përpara kohe, ndërsa vetëm në një rast, përballë Bermane Stiverne u detyrua të priste verdiktin e gjyqtarëve për të festuar. Në anën tjetër, për polakun Szpilka, kjo ishte disfata e dytë si profesionist përballë 20 fitoreve të arritura.

Spektakli në ringun e Brooklyn vazhdoi edhe pas përfundit të duelit. Pasi mbrojti titullin, Wilder u përball me tone të larta me britanikun, Tyson Fury, kampion në fuqi i brezave në kategoritë WBA, IBF, WBO dhe IBO në peshat e rënda.

Një debat që sipas gjasave paralajmëron një duel ndërmjet dy boksierëve më të mirë të momentit në peshat e rënda, për të përcaktuar se cili do të jetë kampioni i vetëm i botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *