Indeksi i perceptimit të korrupsionit, Shqipëria shënon përkeqësim

Shqipëria ka shënuar përkeqësim në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, të publikuar mbrëmjen e së mërkurës nga “Transparency International”.

Për vitin e kaluar, Shqipëria renditet në vendin e 91 nga 180 vende, me 38 pikë, duke lënë pas vetëm Maqedoninë, ndërsa ndan të njëjtin pozicion me Bosnje-Hercegovinën sa i përket rajonit të Ballkanit.

Një vit më parë, Shqipëria kishte vetëm një pikë më shumë, por mbante pozicionin e 83-të, së bashku me Bosnjen.

Kosova, nga ana tjetër, ka shënuar përmirësim, pasi është ngjitur nga vendi i 95-të për vitin 2016 (me 36 pikë), në vendin e 85-të (me 39 pikë).

Sa i përket Europës Lindore dhe Juglindore, viti 2017 ka shënuar një rritje të autoritarizmit anembanë kësaj pjese të kontinentit të vjetër, duke tronditur kështu përpjekjet antikorrupsion dhe kërcënuar liritë dhe të drejtat civile.

Në këtë rajon, organizatat joqeveritare dhe mediet e pavarura kanë pasur sfida ndaj monitorimit dhe kritikimit të vendimmarrësve të tyre.

Shembuj merren Polonia, ku trupat qeveritare kanë marrë kontrollin dhe shpërndarjen e fondeve jetike për organizatat joqeveritare, si dhe Rumania, ku qeveria kaloi një projektligj që vendoste kërkesa raportimi joproporcionale për organizatat joqeveritare.

Në raport analizohen 180 vende në bazë të nivelit të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik, përmes një shkalle vlerësimi nga 0 në 100 pikë, ku zeroja tregon një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100-a një vend pa korrupsion. Në krye të listës renditet Zelanda e Re, e ndjekur nga Danimarka, Finlanda, Norvegjia dhe Zvicra.

 

Burimi: Top-Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *