Hasan Prishtina bashkon nën flamurin për të cilin dha jetën !! -nga Marin Mema

Eshtrat e të madhit Hasan Prishtina nuk duhet të ndajnë, por të bashkojnë. Ai është një nga ata burra të mëdhenj që dha gjithçka kishte që Shqipëria e Kosova të ishin bashkë, nën të njëjtin flamur. Lexoni me parë për këtë patriot të jashtëzakonshëm, sepse mesaduket nuk e keni njohur mjaftueshëm vizionin e tij, dashurinë, shpirtin e zemrën, sakrificat, betejat, përplasjet, pasurinë që e shkriu për shqiptari… Figurat e kombit nuk ndahen dhe ata që kërkojnë t’i ndajnë nuk kanë asnjë lidhje me interesat e vërteta të shqiptarëve.

Hasan Prishtina siç kam thënë në disa emisione (që 10 vite më parë) duhet të prehet në “Varrezat e Dëshmorëve”, në Tiranë. Megjithatë edhe sot ai prehet në Kukës në një qytet, në një tokë që nuk kanë mundur kurrë ta përkulin apo shkëpusin nga historia, nga Hasan Prishtina, nga përballjet e mëdha siç eshte lufta e Lumës apo siç njihen ndryshe ‘Termopilet shqiptare”. Burra të tillë i përkasin kombit ! Z. Veseli, ju mund të kërkoni tërheqjen e eshtrave të Hasan Prishtinës, por a e dini çfarë donte ai? Hasan Prishtina ishte Kryeministri i Shqipërisë edhe pse për pak ditë sepse puna e jeta e tij lidhej me shqiptarët e përbashkuar !! Ju përmendni “Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës” që u ngrit për të bashkuar shqiptarët, për të bashkuar Shqipërinë e për të mos lejuar aneksimin serb… Ky ishte objektivi i këtij komiteti dhe burrave që e udhëhoqën. E po i njëjtë është edhe amaneti i luftëtarëve të UÇK – së që ju e dini shumë më mirë se mua !! Shpresoj të mos ta harroni !

Në 85 vjetorin e vrasjes së tij ju po e vrisni sërisht Hasan Prishtinën, duke kërkuar të bëni diçka kundër të cilës ai luftoi me forcë, të ndani shqiptarët! Këtë nuk do t’jua falë historia! Këtë nuk do t’jua falin shqiptarët e vërtetë! Hasan Prishtina bashkon nën flamurin për të cilin dha jetën !!

autor: Marin Mema

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *