Shkëndija i bën 2 gola Grasshopperit, reshjet lejojnë vetëm 37 minuta lojë

Shkëndija e Tetovës luajti vetëm 37 minuta lojë të ndeshjes kontrolluese me Grasshopperin e Zvicrës. Reshjet e dendura të shiut bënë që loja të ndërpritej kur kuqezinjtë tetovarë po kryesonin me 2 gola.

Sa u takon minutave të zhvilluar Shkëndija iu imponua kundërshtarëve në lojë dhe rezultat. Kuqezinjtë e nisën me shumë vrull, duke gjetur golin e epërsisë pas vetëm 21 sekondave lojë. Nafiu dhe Mici zhvilluan një aksion të shpejtë, ndërsa para portës nën presionin e Samir Fazli, mbrojtësi kundërshtar Diani shënoi autogol.

Zvicëranët e panë veten në disavantazh thuajse ende pa filluar ndeshja dhe shpejt kërkuan të reagonin, duke lënë shumë hapësira në mbrojtje.

Këtë gjë e shfrytëzuan futbollistët e Shkëndijës në minutën e 19-të, duke realizuar në kundërsulm me Izair Eminin.

Shkëndija humbi disa raste të tjera shënimi, ndërsa reshjet e shiut ishin gjithnjë e më intensive, duke bërë që në minutën e 37-të arbitri i takimit ta ndërpriste përfundimisht takimin, pasi nuk ishin kushte për lojë.

Shkëndija Tetovë – Grasshopper 2-0

Shënues: Diani (1’ aut), Emini 19’

Shkëndija: Zahov, Murati, Bejtullai, Musliu, Mici, Totre, Alimi (c), Shefiti, Emini, Nafiu, Fazli.

Trajner: Qatip Osmani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *