“Fshesa” prek “arrogantët dhe joprofesionistët” Lidhja Social Demokrate

“Fshesë për arrogantët dhe jo profesionistët nëpër institucione”. Lidhja Social Demokrate, partia e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, ka shkarkuar të gjithë funksionarët e lartë të saj: 6 nënkryetarët, 3 sekretarët dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Ekzekutiv.

Këto “spastrime” ishin paralajmëruar nga Zaevi fill pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të 21 prillit. Ai njoftoi po ashtu se do të ketë të paktën 3 ndryshime në postet e ministrave në kabinetin e tij qeveritar.

Shefi i ekzekutivit maqedonas citohet nga “Zëri i Amerikës” të ketë rrëfyer se ndryshimet janë rezultat i mossuksesit të zyrtarëve të lartë partiakë për të përmbushur detyrat dhe zotime e marra, si dhe “për shkak të arrogancës së shfaqur nga ana e tyre”.

Disa prej nënkryetarëve të shkarkuar të LSDM-së drejtojnë dhe poste të larta qeveritare apo janë ligjvënës në Parlament. Ndërsa Petre Shilegov është kryebashkiak i Shkupit.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Aleksandar Kiracovski ishte zhytur në një skandal nepotizmi, pasi kishte punësuar në administratë apo në kompani publike disa prej familjarëve të tij. Postin e tij e mori ministri i aktual i Bujqësisë, Lupço Nikolovski. Ky i fundit do të largohet nga kabineti qeveritar.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev pritet të marrë pëlqimin e kryetarit të Bashkimt Demokratik për Integrim për ndryshimet në qeveri, dhe emrat e ministrave të partisë shqiptare që do të duhej të largohen nga kabineti. Zaev nuk do të ndalet me kaq. Ai pritet të shkarkojë edhe një sërë drejtorësh të ndërmarrjeve shtetërore.

 

Burimi TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *