Nis botërori në atletikë/ Spikat Coleman, ka gjest sportiv

Kampionati botëror i Atletikës i Dohas në Katar ngriti zyrtarisht siparin me ceremoninë e hapjes së tij në Khalifa Stadium.

Një spektakël shumëngjyrësh dhe me fishekzjarrë të shumtë i parapriu evenimentit më të rëndësishëm të mbretëreshës së sporteve ku m arrin pjesë të gjithë atletët më të mirë të botës.

Por përpara kësaj ceremonie u zhvilluan edhe disa gara kualifikueseve mes të cilave ajo e 100 m për meshkuj ku spikati Christian Coleman që fitoi baterinë e tij kualifikuese me 9.98 sekonda dhe ishte i vetmi atlet që shënoi një kohë nën kufirin e 10 sekondave.

Por vëmendjen më të madhe në ditën e parë të këtij botërori e fitoi një gjest sportiv mes dy atletëve të garës kualifikuese të 5000 m për meshkuj, Dabo i Guinea Bissau dhe Jonathan Busby i Arubës. Në xhiron e fundit në garës, Busby ndjeu lodhjen dhe u duk se do të shembej në tokë kur Dabo i erdhi në ndihmë dhe e mbajti Busbyn në 200 me e fundit të garës për të kaluar bashkë vijën e finishit.

Dita e parë e Botërorit të Atletikës u mbyll me dhënien e medaljeve të para, ato të maratonës së femrave që u zhvillua në orët e mbrëmjes. Ishte keniania Ruth Chepngetich që u shpall kampione e botës në këtë disipline teksa e mbylli maratonën me kohën 2 orë 32 minuta e 43 sekonda duke ia rrëmbyer titullin Rose Chelimos së Bahreinit që u rendit në vendin e dytë, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi Helalia Johannes nga Namibia.

Klara Asqeriu

burimi Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *