Vlera & Kriza morale dhe Pandemia

23.04.2020
Dr.Kujtim Kasami
Kujtim Kasami

“Vlera është humane, është e mirë, është e bukur, e nevojshme dhe e rëndësishme në jetën e njeriut, por duhej të ndodhte pandemia për të kuptuar drejt krizën e thellë morale që ka kapluar njerëzimin dhe qelizën kryesore të shoqërisë, siç është familja”

Në vitin 2008, disa studiues në Shtetet e Bashkuara intervistuan qindra të rinj për pikëpamjen e tyre rreth vlerave morale.”Ajo që të shkurajon, është sa pak mendojnë e flasin për çështje morale”,—thotë Dejvid Bruksi për gazetën The New York Times. Shumica mendonin se vrasja dhe përdhunimi janë të gabuar, por “përveç këtyre rasteve ekstreme, fjalët e drejtë dhe e gabuar as që figuronin në fjalorin e tyre, as kur bëhej fjalë për ngarjen e makinës i dehur, kopjimin në shkollë ose tradhtinë e partnerit”. Një vajzë u shpreh: “As që e vras mendjen për të drejtën dhe të gabuarën. “Shumë ishin të mendimit: “Nëse  të duket e drejtë, bëje. Ndiq zemrën”.A është arsyetim i mençur ky?

Çfarë janë vlerat? 

Janë parime morale ose etike që i konsiderojmë të mira dhe të rëndësishme. Ato përfshijnë faljen, ndershmërinë, dashurinë, respektin për jetën dhe vetëkontrollin. Pra, vlerat që kemi, ndikojnë te sjellja, te përparësitë, te marrëdhëniet tona dhe te drejtimi moral që u japim fëmijëve. Por, megjithëse janë të rëndësishme, vlerat morale po bien gjithnjë e më shumë.
Vlerat janë nxitësit energjikë të aspiratave dhe qëllimeve tona. Vlerat tona pasqyrojnë atë që është e rëndësishme për ne. Ato janë një mënyrë e shkurtër për të përshkruar motivet tona individuale dhe kolektive. Së bashku me besimet, ato janë shkaktarët që nxisin vendimmarrjen tonë.

Kur njeriu e zgjedh të mirën, ai është i sigurt që të gjithë njerëzit e llogarisin këtë vendim si të mirë dhe dëshirojë të veprojnë në mënyrë të njëjtë. Kjo quhet etikë e përgjithshme, moral i tërë njerëzimit, ka dallime të vogla prej kontinenteve dhe racave të ndryshme të njerëzve, mirëpo prapë se prapë këto dallime nuk janë edhe aq të mëdha – e mira është e mirë, kudo që jemi në botë, sikurse që është edhe e keqja.
Mendimi i mirë, fjala e mirë dhe veprimet e mira janë të mira në secilin vend. Mendimi i keq, fjala e keqe dhe sjelljet negative të cilat lëndojnë njerëzit janë të këqija gjithkund. Për këtë shkak secili duhet të bëjë llogaritë e tij dhe të sillet në mënyrë të drejtë. 
Morali lidhet me mendimin, vendimin dhe veprimin. Etika/morali realizohen në katër forma dhe hapa, të lidhur njëri me tjetrin – ideali, vlera, norma dhe vepra.Ideali është kuptimi të cilin individi e ka zbuluar dhe e ka pranuar si qëllim të fundit të ekzistimit dhe veprimit. 
Ideali tërheq në jetë, si dritë që tregon rrugën. Ideali është më shumë mirësi. Çka është më e rëndësishmja, ai është burim i vlerave të tjera dhe jep fuqi.
Vlera është e tërë ajo që vlen sipas orientimit etik. Janë paramendime dhe qëllime për të cilat njeriu mendon se janë të drejta, pëlqehen, janë të nevojshme dhe i përcjell gjatë jetës dhe në veprimtarinë e tij. Vlera është vendim i njeriut për të cilin mendon që është i mirë dhe paraqet largimin e tij prej asaj që mendon se është e keqe.
Normat është urdhër etik, vlerë etike në formë që tregon çka duhet bërë dhe çka nuk duhet bërë. Normat janë kërkesa për veprim, përshkrim direkt i vlerave të mira dhe tregues se çfarë duhet bërë, përkatësisht thënie për atë që nuk ka vlera dhe kërkohet të mos bëhet.
Hapat veprat janë në fakt njeriu çfarë bën. Paraqet ringjallje të vlerave dhe realizimin e normave. Hapat inspirohen prej qëndrimit etik të individit, të grupeve ose të një periudhe. Vepra është vepër përfundimtare e paramendimeve, qëllimeve etike. Morali në fakt ek-ziston për njerëzit që të veprojnë mirë.
Kjo është qasja shkencore sa u takon vlerave.Në fakt, në përballje me vlerat në kohë pandemia doli në pahë kriza e thellë morale.Çka mund të nxjerrim mësim nga e gjithë kjo situatë e krijuar në nivel botëror si pasojë e virusit korona?
Disa nga mësimet që mund të nxirren:- vetë njeriu është vlerë, por nuk e dinte vlerën e tij;- familja është vlerë, por duheshte izolimi në karantinë për të kuptuar mirëfilli vlerën e familjes;-shtëpia për banim është vlerë, por jo pallatet boshe por shtëpia e cila të ofron ngrohtësinë familjare;-shëndeti është vlerë, por duheshte të ballafaqohemi me sëmundje dhe infeksione nga viruse të këtilla të vlerësojmë vlerën e shëndetit;-jeta e njeriut është vlerë, por duhet të ndodhin mijëra vdekje për të kuptuar vlerën e jetës;-shkolla është vlerë, por duheshte të ndodhi mësimi në distancë për të kuptuar vlerën e shkollës dhe mësimdhënësit;-xhamia është vlerë, por duheshte të privohemi nga shkuarja në xhami për të kuptuar vlerën e saj dhe të xhematit;-shoqërimi me njerëz është vlerë, koha e lirë është vlerë, puna është vlerë …!

Vlera është humane, është e mirë, është e bukur, e nevojshme dhe e rëndësishme në jetën e njeriut, por duhej të ndodhte pandemia për të kuptuar drejt krizën e thellë morale që ka kapluar njerëzimin dhe qelizën kryesore të shoqërisë, siç është familja.
Mesazhi që duhet lexuar nga kjo gjendje e krijuar është t’i kthehemi asaj që vlen, të vlerësojmë vlerën dhe njerëzit me vlera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *