Të izoluarit nga koronavirusi lehtësimin e gjejnë te biçikletat

Sidnej, prill (Guardian) – Shitësit e biçikletave në Australi janë duke u përballur me vështirësi për ta përballuar shtimin e kërkesave që nga muaji i shkuar, kur izolimi dhe masat e tjera për ndalim qarkullimi janë vënë në fuqi për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

“Jemi tani letrat e reja të tualetit dhe të gjithë duan nga një copë”, ka thënë Grant Kaplan, menaxher në “GiantSydney”, një dyqan biçikletash në Sidnej, duke folur për të përditshmen britanike “Guardian”. “Nuk mund t’ia dalim me shitjet. Telefonat po cingërojnë pa ndalur”, ka thënë ai, duke qeshur teksa një thirrje tjetër i vinte menjëherë, shkruan sot Koha Ditore.

Krejt në fillim, punonjësit e zakonshëm sikur Sean Marshall i “GiantSydney”-it ishin të shqetësuar se masat e ndërmarra për shkak të pandemisë së COVID-19 do t’i linin ata pa punë.

Por, pak javë pas vendosjes së masave të izolimit, Kaplani ofronte ndërrime shtesë për punëtorët e zakonshëm, duke u ankuar madje se kishin mungesë të stafit krahasuar me rritjen e shitjeve dhe kërkesave për biçikleta.

Dyqanit iu desh t’i ndalte shërbimet e servisimit të biçikletave, edhe pse kjo fushë paraqet një burim të madh të hyrash. Kjo ngase mekanikët e kompanisë u detyruan të merreshin bashkë me shitësit me kërkesat e klientëve për blerjen e biçikletave të reja.

Marshall, që ka punuar në sektorin e shitjes së biçikletave gjatë katër vjetëve të fundit, ka thënë se priste shitje deri në 10.000 dollarë për një të shtunë. Megjithatë, për dy fundjavat e fundit “janë realizuar 40 mijë dollarë shitje çdo të shtunë, teksa shifrat ishin të ngjashme edhe në ditët e tjera të javës”.

Edhe “bikeNOW” nga Melburni ka shënuar shitje enorme kohët e fundit.

Bashkëmenaxheri Nathan Ziino ka thënë se kanë shitur mes 40 dhe 45 biçikleta vetëm gjatë fundjavës së shkuar, shumica e të cilave ishin modele të thjeshta me çmim rreth 700 deri 1.200 dollarë.

“bikeNOW” zakonisht shet biçikleta prej 4.000 deri 15.000 dollarë për klientelën e nivelit të lartë. Por Ziino ka thënë se shumica e klientëve të kohëve të fundit të kompanisë kanë qenë familjarë që duan të jenë aktivë, por që kanë dashur po ashtu t’i përmbahen njërës prej rregullave kryesore kundër përhapjes së koronavirusit – asaj të distancimit social.

“Familjet janë të lodhura duke ecur gjithandej, si formë kjo e vetme e stërvitjes. Fëmijët janë të mbyllur nëpër shtëpi dhe nuk shkojnë në shkolla, apo janë duke mësuar nga shtëpia. Nëse ju duhet të shkoni në një fushë sportive për të ushtruar dhe aty tashmë ka shumë njerëz, ju nuk keni mundësi që t’u përmbaheni rregullave të distancimit social”, ka thënë ai. “Por me biçikleta, ju edhe ushtroni por edhe e praktikoni distancimin social”.

Për të tjerët, masat e caktuara për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit u kanë dhënë kohë të merren me një hobi të ri.

Në “GiantSydney”, Marshall ka treguar se shumë klientë i kanë thënë se e kanë dashur vazhdimisht ngasjen e biçikletave, porse nuk kanë pasur as kohë dhe as motivim për ta bërë këtë gjë më herët.

“Ata tregojnë se si kanë menduar për këtë gjë dhe se tani skenari ideal për ta ka arritur: kanë kohë për vete, palestrat janë të mbyllura, pishinat po ashtu, prandaj pse të mos marrin nga një biçikletë?”\KoahNet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *