Më 9 qershor fillon gjykimi për vdekjen e lehonës nga Kërçova në Spitalin “Sante Plus”

Dëbora Qerimi – Xhamazi

Në Gjykatën Themelore të Shkupit, më 9 qershor në ora 09:30 do të fillojë gjykimi për vdekjen e lehonës nga Kërçova, Debora Qerimi – Xhambazi e cila vdiq gjatë lindjes së fëmijës më 18 janar të vitit 2018 në spitalin Sante Plus në Shkup, njofton Portalb.mk. Përcjell Portali Uskana

Më 9 mars të këtij viti, pas procedurës paraprake gjithëpërfshirëse Prokuroria Themelore Publike Shkup parashtroi aktakuzë për vdekjen e lehonës në “Sante Plus”.

Siç kumtoi Prokuroria, i akuzuari më 18 janar të vitit 2018, si mjek specialist – anesteziolog, gjatë ofrimit të ndihmës mjekësore, ka aplikuar dukshëm një mënyrë joadekuate të mjekimit dhe me atë ka shkaktuar vdekjen e një personi – lehonës Debora Qerimi – Xhambazi, si dhe çrregullim të rëndë të shëndetit të foshnjës së saj.

“Në kundërshtim me ligjin për mbrojtje shëndetësore, i akuzuari, i punësuar në Klinikën universitare për anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv, ka lidhur Kontratë në vepër me institucionin privat shëndetësor, me të cilën është obliguar t’i kryejë punët në vendin e punës mjek-anesteziolog në periudhën prej 16.01-28.01.2018. Me atë rast, ai e ka lidhur kontratën pa e poseduar përvojën e nevojshme të punës në specializim mbi dy vite dhe pa ekzistuar marrëveshje mes klinikës në të cilën ka punuar dhe spitalit privat. Në të njëjtën kohë, institucioni privat ka qenë jashtë rrjetit dhe në pajtim me Ligjin për mbrojtje shëndetësore nuk ka pasur të drejtë të angazhojë punonjës shëndetësorë për ushtrim të veprimtarisë shtesë. Në atë mënyrë ai i është bashkangjitur ekipit operativ në të cilin ishin dy mjekë specialistë – gjinekologë të cilët më 18.01.2018 kanë kryer ndërhyrje kirurgjike – prerje cezariane ndaj tani lehonës së ndjerë. I akuzuari ka filluar me vendosjen e pacientes në anestezion të përgjithshëm, por tubin endotrakinal, në vend se në rrugët e frymëmarrjes, fillimisht e ka vendosur në lumenin e ezofagut që ka shkaktuar mungesë të oksigjenit në organizëm të shkallës së rëndë dhe dëmtime të parikuperueshme të organeve me rëndësi vitale. Për ato shkaqe, tek lehona është shkaktuar vdekja, ndërsa tek foshnja e saj janë shkaktuar dëmtime të përhershme dhe të konsiderueshme të indit të trurit”, ceket në kumtesë.

Nga dëshmitë e siguruara materiale nga të gjitha institucionet relevante që posedojnë dokumentacion, si dhe nga ekspertizat mjekësore nga Instituti për mjekësi gjyqësore, kriminalistikë dhe deontologji mjekësore, siç thonë nga Prokuroria, ka dalë se në këtë lëndë nga aspekti penal-juridik ekzistojnë elemente të përgjegjësisë penale për një person.

Gjithashtu, nga të gjitha dëshmitë e siguruara, nga aspekti kundërvajtës-juridik doli se ekziston bazë edhe për përgjegjësi kundërvajtëse, kështu që, prokuroria në janar të vitit 2020, në Ministrinë e Shëndetësisë ka parashtruar Iniciativë për ngritje të procedurës kundërvajtëse kundër dy personave juridik, kundër personit përgjegjës në ato dy personat juridik, si dhe kundër dy punonjësve të tjerë shëndetësorë – mjekë.

Përndryshe, në Shtëpinë Private Shëndetësore “Sveti Llazar” apo “Spitali im – Sante Plus” ndërroi jetë 31-vjeçarja nga Kërçova, Dëbora Xhambazi, gjatë lindjes me prerje cezariane të fëmijës së parë të saj. Besohet se shkak për vdekjen kanë qenë komplikimet që i kanë shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Edhe pse ka lindur në gjendje shëndetësore, foshnja tani është në gjendje stabile.

Pas rastit në fjalë Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor kanë sjellë vendim që të mbyllet spitali gjinekologjik privat në Maqedoni, “Sante Plus”. Siç bënë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë arsyeja e mbylljes së Spitalit është për shkak të lëshimeve dhe mangësive të konstatuara gjatë inspektimit.

Më pas, është dorëzuar vendimi për shkarkim të anesteziologut nga Klinika për Anesteziologji, Reanimim dhe Mjekim Intensiv (KARMI), i cili ka qenë në lindjen në spitalin “Sante Plus”, ku ka ndërruar jetë lehona nga Kërçova. Mjeku obligohet që t’i kthejë 50.000 euro, pasi që një pjesë të studimeve për specializim ia ka paguar shteti.

Anesteziologu ka pasur 1 vit përvojë pune, ndërkaq sipas marrëveshjes ka qenë i obliguar që 10 vjet të mos e lëshojë klinikën, pasi që ia ka financuar një pjesë të arsimimit të tij. Marrëveshjet e tanishme, specialistët i obligojnë madje 15 vjet të qëndrojnë në të njëjtin institucion. Mjeku ka të drejtë të ankesës, e cila, nëse refuzohet është i obliguar që t’i kthejë paratë për specializimin.

/Portalb.mk

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *