Ftesa për bashkëjetesë & Kryeministër shqiptar

Dr. Kujtim Kasami

Në aspektin sociologjik janë trajtuar me decenie strukturalizmi dhe individualizmi si trajtesa për rolin dhe fuqinë e njeriut në shoqëri, por në asnjë moment nuk mohohet çështja e njeriut si qenie sociale apo shoqërore.
Në çdo periudhë kohore njeriu ka bashkëvepruar me forca dhe faktorë të ndryshëm me qëllim të avansimit të pozitës dhe mirëqenies sociale.
Në momente të caktuara njeriu për të mbrojtur dallimet ka zhvilluar edhe luftë, dhe më pastaj përsëri ka bërë paqe për të vazhduar jetën e llojit njerëzor.

Në raste të caktuara qenia njerëzore pa dallim, është etiketuar si bishë, kafshë, egërsirë, që në një farë mënyre është përshkruar me të bëmat e saj.
I gjithë ky diskurs ndoshta ja ka vlejtë për njeriun e kohës së gurit, metalit apo mesjetës, por në asnjë mënyrë nuk lejohet dhe nuk tolerohet në kohën neoliberaliste dhe bashkëkohore të luftohen dallimet deri në masë për të patur çmim edhe jetën.

Dallimet e plotësojnë jetesën dhe kështu krijohet bashkëjetesa, jo për tu asimiluar njëri në tjetërin por për të ecur përpara dhe për të shtuar kualitetin dhe cilësinë e jetesës me kushte dhe mundësi më të mira.
Zakonisht elitat e njerëzve në përgjithësi, por edhe elitat akademike në veçanti luajnë rol shumë të rëndësishëm në udhëheqjen dhe zhvillimin e shoqërive, si shembull mund të përmendin elitën akademike – shkencore të popullit gjerman në bërjen e Gjermanisë pas Luftërave Botërore.
Një shoqëri, fjala vjen si kjo e jona në Republikën e Maqedonisë së Veriut me “multi-multi”, nacionale, religjioze, gjuhësore, deri në politike dhe partiake është më se e nevojshme “farz” për çdo njeri të nivelit të ngritur që të ftojë dhe fuqizojë për një jetesë të përbashkët duke respektuar dallimet e gjithësecilit.

Megjithatë ende në botën akademike kemi lloj të njerëzve “mbi akademik” të llojit të vet jo – normal në kuptimin e shëndetit psikik/mendor siç e kemi rastin e Katica Kulavkovës e cila po e “paguan çmimin e bashkëjetesës me jetë.”


Shtrohet pyetja pse anëtarja e Akademisë së Shkencave në RMV, e bënë këtë postim në tweet-profilin e saj dhe më pastaj e fshinë me arsyetimin se është keqkuptuar. Vazhdon pyetja pse asnjë distancim dhe ndëshkim ndaj akademikut në fjalë (Katica K.) nga Akademia e Shkencave.

Përgjigja është e thjeshtë dhe e një trajtshme.
I gjithë ky mllef gjoja se “kostoja e bashkëjetesës po paguhet me jetë” është në momentin kohor kur në gjithë botën mbretëron pandemia e virusit korona, në vendin tonë i shtohet pandemisë edhe periudha parazgjedhore bashkë me këtë edhe gjendja e jashtëzakonshme.

Tani del në pah një ide e fuqishme politike për Kryeministër Shqiptar, dhe çfar të keqe kemi këtu?

Shqiptarët këtë shtet e kanë ndihmuar në zanafillën e tij, në bërje dhe ribërjen, në emërimin dhe riemërtimin, në zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik, politik, të sigurisë, arsimor, shëndetësor deri në bartje të përgjegjësive në ekzekutiv më nivelin e zv.kryeministrave dhe përgjegjësinë e nivelit më të lartë në institucionin ligjbërës dhe ligjvënës- kryetar parlamenti.

Në një shtet sikur që është Maqedonia e Veriut, shtet parlamentar, njejtë sikur që është bërë kryetar parlamenti një shqiptar dhe deri në fund e kreu misionin me profesionalizëm dhe suksesshëm, poashtu është krejt logjike dhe e argumentuar politikisht që bartës i kryeministrisë të jetë një shqiptar i cili me profesionalizëm dhe suksesshëm do ta menaxhoj këtë përgjegjësi.
Në këtë situatë shikuar politikisht do të kemi një shtet i cili do të zhvillojë dhe do të ndërtojë besim më të madh midis, në rradhë të parë shqiptarëve dhe maqedonasëve por edhe midis të gjithë qytetarëve të tjerë që jetojnë në këtë shtet, por të gjithë të sigurtë, se asnjë për këtë bashkëjetesë nuk do të paguaj çmim me jetë.

Menaxhmentin dhe liderizmin nuk duhet shikuar vetëm në aspektin e dallimeve gjuhësore, nacionale, fetare apo racore sepse në qeverisjet globale mbi të gjitha shikohet profesionalizën dhe menaxhim i suksesshëm në bërjen e politikave dhe vendim-marrjesë kur dihet mirëfilli se në të shumtën e rasteve dhe situatave, ndërvarrësia, bashkëpunimi dhe qëndrimet duhet të jenë në frekuenca të njejta me politikat dhe qeverisjen e shteteve tjera.

Shkruar nga Dr.Kujtim Kasami 08.06.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *