Partia e Gruevskit “vret babain”, hap drejt koalicionit me BDI-në e Ali Ahmetit?

Ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 13 korrikut nuk janë shpallur, vijojnë lëvizjet frenetike nga ana e partive politike për të formuar qeverinë e re.

Partia nacionaliste VRMO-DPMNE, ka kryer një manovër të rëndësishme me synimin për të krijuar kushtet e një negociate të favorshme me BDI-në e Ali Ahmetit.

Kjo forcë politike e së djathtës, ka larguar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, nga posti i kryetarit të nderit, nëpërmjet një lëvizje statutore, ku e ka pezulluar këtë funksion.

Nga ana tjetër VRMO-DPMNE ka kufizuar mandatin e kryetarit që nuk mund të rrijë më shumë se dy mandate.

Një lëvizje taktike kjo që dukshëm i jep mundësi që të hyjë në negociatat për formimin e qeverisë së re. VRMO-DPMNE ka marrë 44 mandate dhe nëse arrin të bëjë koalicion me BDI numri shkon në 59 dhe i duhen edhe dy deputetë për mazhorancën, që i ka lehtësisht tek Levica apo e Majta që ka dy deputetë, madje ka mundësi edhe mandatin e Menduh Thaçit, i cili është partner i vjetër i kësaj force politike.

Ndërkaq, problem mbetet besueshmëria ndërkombëtare për VRMO-në e cila ka qenë jo vetëm kundërshtuese e SHBA-BE gjatë kohës së Gruevskit dhe Ivanovit në Presidencë, por edhe votoi kundër ndryshimit të emrit të shtetit, që u arrit nëpërmjet Marrëveshjes së Prespës.

Megjithatë mund të thuhet se çështja e emrit është tashmë e realizuar dhe SHBA e BE e kanë realizuar synimin e madh që kishin me Maqedoninë e Veriut.

Tani çështja shkon në normalitet, aq më shumë që ish partia e Gruevskit vendosi të “vrasë babanë”, pra të degdisë përfundimisht liderin historik të VRMO-DPMNE.

A është kjo një lëvizje drejt pushtetit? Kjo duhet parë në vazhdim, por LSDM-ja e Zoran Zaev e ka radhën e para që të marrë mandatin e formimit të qeverisë nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. i cili u zgjodh edhe falë votave të shqiptarëve e veçanërisht BDI-së.

Në qarqet e opinionit politik të faktorit shqiptar thuhet se BDI do të mbajë stekën lart për kryeministrin shqiptar, por në fund mund të tërhiqet për të kërkuar disa poste të tjera të larta siç është Guvernatori i Bankës Qendrore e Ministri i Financave, poste kyçe që bëjnë lëvizjen e buxhetit drejt territoreve të banuara nga Shqiptarë.

 Gazeta Shqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *