Arti i të folurit – nga Kujtim Kasami

E veçanta që e dallon njeriun nga gjithë krijesat tjera është dhuntia e të folurit.
Është shumë interesant se të folurit është lidhur në raport me të dëgjuarit. Në studimet psikologjike vëndohet në pahë se fëmijët që nuk dëgjojnë edhe nuk mund të zhvillojnë të folurit. Poashtu në psikologjinë gjenetike apo zhvillimore janë bërë studime për majmunët dhe është konstatuar se nuk e kanë të zhvilluar të folmen por vetëm komunikojnë me anë të gjesteve, apo thënë ndryshe nëpërmjet komunikimit kinetik (trupor). Studimet e shumta flasin për atë se majmunët nuk mund të zhvillojnë të folurit sepse u mungon aparati i të folurit që është dhunti speciale për njeriun nga Zoti i gjithësisë.
Njerëzit kanë komunikuar me anë të të folurit që në kohët më të vjetëra dhe shoqëritë primitive apo shumë të thjeshta, sepse me njeriun e parë lindi edhe të folurit dhe fjalët.
Kuptohet me kalimin e kohës dhe zhvillimin në aspekte dhe fusha të ndryshme është zhvilluar dhe ka përparuar të folurit dhe janë shtuar gjuhët dhe fjalët krahas shumimit dhe shtimit të popujëve dhe kombeve të ndryshme.
Njerëzit në gjuhë të ndryshme i kanë përdorur fjalët, edhe për tu sharë dhe ofenduar midis veti, për të dhënë dhe marrë përvoja, njohuri dhe informacione të ndryshme, për të përcjell traditën dhe kulturën nga një brez te tjetëri, por mbi të gjitha për të shpreh ndjenjat, emocionet, lëvdata, mirënjohje dhe përvoja nëpërmjet një procesi të komunikimit të suksesshëm në të cilin ka etikë, moral, fjalë miradije dhe assesi vrazhdësi, ashpërsi, dyfytyrësi, amoralitet dhe kulturë gjuhësore të papranuar.
Nëse ndalemi pak për disa sekonda apo minuta dhe meditojmë se si dhe çfarë kuptimi do të kishte jeta jonë pa të folurit!?
E marrim për shembull një memec ( që nuk mund të flasi, nuk mund të shprehi dhimbje, kënaqësi, kërkesa, nevoja, etj) dhe mund të rrimë bashkë me të, gjithë kohën por nuk mund të flasim, nuk mund të marrim prej tij sepse ai nuk mund të japi. Dhe, vetëm atëherë mund të kuptojmë drejt çka don të thotë dhe sa rëndësi të madhe ka të folurit.

Prandaj e kemi për obligim të gjithë, pa përjashtim të kultivojmë dhe ta bëjmë art të folurit duke pasuruar fjalorin tonë me shumë fjalë, duke i shqipëtuar drejt ato, duke e vënduar theksin aty ku duhet dhe si duhet. Patjetër e kemi të mësojmë kulturën e të shprehurit qoftë në jetën private, personale dhe familjare apo publike me të tjerët.
Defektin më të madh e kemi si pasojë e përdorimit të tepruar të komunikimit dixhital dhe e kemi zbehë dhe ja kemi humbur artin të folurit.
Gjithësesi e folmja popullore, letrare, e kombinuar është dhunti e madhe, është karakteristikë e qenies njerëzore, prandaj mos ta bastardojmë, ta shtremërojmë dhe ta neglizhojmë, por ta kultivojmë, ta ruajmë, ta pasurojmë dhe ta mbajmë me fanatizëm si diç e shenjtë për ne.
E sidomos kur ne si shqiptar e kemi këtë fat sepse flasim këtë gjuhë shqipe që jo sipas meje, por sipas gjuhëtarëve është gjuha më e kompletuar, e standardizuar, gjithëpërfshirëse, me dialekte krahinore, e vjetër, e pastër, e bukur, me shumë fjalë, etj.
Mbetet që, ne gjuhën ta bëjmë art!

Dr.Kujtim Kasami

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *