Dimri godet Azinë, regjistrohen 50 viktima nga i ftohti në Taivan …

Një front i acartë është përplasur mbi Azinë lindore duke u bërë shkak për mbi 50 vdekje në Tajvanin e pamësuar me temperatura të tilla të ulëta e duke bllokuar gati 60.000 turistë në Korenë e Jugut.

Mediat tajvaneze raportojnë se pjesa dërrmuese e vdekjeve ishte pasojë e hipotermisë dhe problemeve kardiake. Si rrallë ndonjëherë, dëbora e rënë në Taipei zbardhi krejtësisht majat e maleve Jangming dhe Taiping.

Për disa vizitorë, kjo ishte hera e parë që shikonin borë atje. “Është hera e parë që e shoh një gjë të tillë. Është ftohtë vërtet, por ndjesia ama është e këndshme”, tha një prej tyre. Trasmeton TCH

Reshjet e dendura të dëborës detyruan autoritetet të mbyllnin aeroportin e ishullit korean të Jejut, mjaft të frekuentuar nga turistët, ku u anulluan të gjitha fluturimet. Dara e të ftohtit ka mbërthyer edhe hong Kongun, jugun e Kinës dhe Japoninë.

Të pazakonta ishin reshjet e dëborës për provincat kineze Guangzhou dhe Shenzhen, ndersa ishulli japonez i Okinavës pa për herë të parë në historinë e tij borë të shkrirë.

Më shumë se 600 fluturime të brendshme u anuluan në Japoni të djelën dhe paraditen e sotme. Të paktën 5 janë viktimat në këtë vend nga moti i keq e mbi 100 të plagosurit. Zhiva e termometrit është ulur ndjeshëm edhe në disa pjesë të azisë juglindore, përfshirë Vietnamin dhe Tajlandën.

Në Bangkokun që zor se sheh temperatura nën 20 gradë, një ditë më parë ato zbritën në 16 gradë Celsius, ndërsa 6 gradët e shënuara në Hanoi ishin më të ulëtat për këtë qytet në gati dy dekada.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *