Polemika për Universitetin e ri, PDSH-ja akuzon BDI-në: “Damjan Gruev” në gjuhën angleze dhe maqedonase

Propozimi për themelimin e universitetit të ri publik “Damjan Gruev” ka nxitur polemika dhe reagime në Kuvend. Deputetët e maxhorancës, zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristovski dhe ministri i mbrojtjes Zoran Jolevski e arsyetuan themelimin e këtij universiteti, në kuadër të së cilit do të jetë edhe Akademia Ushtarake.

“Siç e dini, për momentin funksionin akademia ushtarake, në të cilën trajnohen kuadro për nevojat e armatës së Maqedonisë si dhe institucioneve tjera. Qëllimi i themelimit të Universitetit të ri është qasja më e gjerë e këtij segmenti i cili është i rëndësishëm për funksionim e çdo shoqërie”, tha Jolevski.

Por kundër doli, deputetja e pavarur,  Solza Grçeva e cila tha se Maqedonia për katër javë akrediton dy universitete.

“Vallë jemi shtet në luftë, apo tensioneve dhe apo trazirave, nuk e kam të qartë. Por, prej kësaj që mund të shoh, se për një muaj dy universitete të reja, duhet të jemi një prej shteteve më të pasura në Evropë, defintivisht. Të gjithë treguesit janë të kundërt, por ne do të lejojmë dhe luksin që për katër javë universitet të dytë të akreditohet”, shtoi Grçeva.

Përveç saj, kundër këtij projekti është shprehur edhe partia opozitare shqiptare PDSH, ndërsa në seancë mungonin deputetët e BDI-së. Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi drejtoi akuza ndaj deputetëve të BDI.

“Zyrtari më i lartë shqiptar në këtë shtet, nuk ishte në këtë mbledhje, sepse e din se çfarë dëmi është duke i bërë shqiptarëve. Ato vazhdojnë të luajnë me demokracinë e brendshme, ku nënkryetari vazhdon të mos votoj në seancë plenare zgjedhjen e Toni Naunoskit, apo mos të votoj shpërbërjen e Kuvendit. Këto janë lojra, sjellje, këto janë marifete tipike të një partie e cila është kolaboracioniste, është vasale dhe është mercenare”, tha Ibrahimi.

Megjithatë këtij debati, ligji për themelimin e Universitetit u votua nga shumica parlamentare në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Sport, që më pas të kalojë në seancë plenare.

Në kuadër të Universitetit “Damjan Gruev” do të jenë 7 fakultete, dhe mësimi do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe maqedonase. Trasmeton tv21

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *