Kroacia në mbështetje të plotë të RMV-së dhe Shqipërisë

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka thënë se beson që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin shumë shpejt negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Plenkoviq ka thënë në një konferencë për media në Zagreb, bashkë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, se shteti i tij është duke tentuar “të krijojë një klimë pozitive”, që mund t’ua mundësojë këtyre dy shteteve arritjen e qëllimit të tyre.

Më 1 janar të këtij viti, Kroacia është ngjitur në krye të presidencës së BE-së, që funksionin me rotacion çdo gjashtë muaj, dhe që nga ajo kohë ka treguar se do të mbështesë Tiranën dhe Shkupin.

Franca dhe Holanda kanë penguar nisjen e bisedimeve për këto dy vende vitin e kaluar, duke nxitur zhgënjim dhe shqetësim për shkak të mundësisë së rritjes të ndikimit rus dhe atij kinez në Ballkanin Perëndimor.

Për të qenë i gatshëm për anëtarësim në BE, vendi që aplikon duhet fillimisht të negociojë 35 fusha, duke përfshirë, bujqësinë, transportin, energjinë, dhe politikat gjyqësore e shoqërore.

Presidenti francez, Emmanual Macron ka thënë këtë javë se ai dëshiron që samiti BE-Ballkan, që është caktuar të mbahet në muajin maj, “të jetë moment i unitetit” për Evropën.

Zyrtarë të lartë kroatë kanë thënë se këto deklarata duket se janë shenjë që zgjidhja mund të gjendet para takimit të liderëve të bllokut evropian në muajin mars./ Top Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *