Për hajr dhe punë të mbarë KMSHZ – së

(Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër)

Shkruan: Dr.Kujtim Kasami

Të japësh kontribut për Atdheun është detyrë e cilitdo. Por shkalla e këtij kontributi është e ndryshme tek individët që e përbëjnë atë komunitet. Njerëzit për ta maksimalizuar kontributin e tyre organizohen në shoqata e forca politike. Për Atdheun mund të kontribosh kudo që të ndodhesh.  Si ata që punojnë dhe jetojnë brenda Atdheut, ashtu dhe ata që jetojnë dhe punojnë jashtë tij.

Populli shqiptar përgjatë gjithë historisë kombëtare dhe fetare ëahtë organizuar në shoqata, unione, shoqëri të ndryshme kulturore e civile, me të vetmin qëllim fisnik që të japi kontributin maksimal, shpirtëror, material, kulturor, civilizues për një organizim më të mirëfilltë për çuar përpara çështjet kombëtare dhe në situata dhe rethana të ndryshme edhe çështjet fetare.
Shoqatat, shoqërit dhe komunitetet e këtilla çdo herë kanë patur rol të rëndësishëm për të mbushur boshllëkun e sistemit dhe po ashtu për të qenë ura lidhëse midis institucioneve dhe qytetarëve.
Kur them se kanë luajtur rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të proceseve të mëdha, fjala vjen ishte Shoqëria “Bashkimi” nga Manastiri, e cila ishte shumë aktive në thirrjen dhe organizimin e Kongresit të Alfabetit.
Gjatë zhvillimit të letrave shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes dhe bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.
Po ashtu shoqëri të ngjajshme kanë patur rol të madh në hapjen e Shkollës Shqipe në Korçë, Normalen e Elbasanit dhe në shumë ngjarje të tjera dhe procese me rëndësi të madhe për kombin shqiptar.

Ajo që na gëzon dhe fokusohem me këtë shkrim është për të uruar punën Komunitetit Shqiptar Mysliman në Zvicër, i cili në fakt është: UNITETI I XHAMIVE TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR.
Pa dyshim se kjo është: “ditë madhështore për komunitetin musliman shqiptar në Zvicër sepse më 20 Shtator, 2020 në xhaminë e Regensdorfit u mbajtë kuvendi i bashkimit të dy organizatave ombrellë të xhamive të shqiptarëve në Zvicër, UBISHZ – Unionit të Bashkësive Islame Shqiptar dhe BISHZ – Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër. Prej sot këto dy orgnizata shkrihen në një të përbashkët që mban emrin KMSHZ-Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër” – shprehet Bashkim Aliu, imam në Zvicër.
KMSHZ është përfaqësuesi unik i xhamive shqiptare në Zvicër.
Në prezencë të një numri të madh kuvendarësh, përfaqësuesish dhe imamë të xhamive shqiptare nga e gjithë Zvicra, zyrtarisht u realizua bashkimi i dy subjekteve fetare islame në një të vetëm.

Kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Mehas ef. Alia dhe Fehim ef. Abazi – kryetar i Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër, nënshkruan aktin e bashkimit të dy subjekteve fetare në një.
E gjithë kjo ngjarje u zhvillua në Xhaminë Shqiptare të Regensdorfit në Zvicër, në të cilën shërben imam Ferid Zeqiri.
Sigurisht që, i gjithë ky proces nuk ka qenë i lehtë, për të bërë unifikimin, unitetin dhe shkrirjen e dy subjekteve në një të vetëm (KMSHZ), i cili është legal, legjitim dhe përfaqësuese i gjithë xhamive shqiptare në Zvicër.
Tani këtij Komuniteti do t’i bie barra dhe përgjegjësia që të gjithë bashkësitë shqiptare – islame (xhamitë) t’i përfaqëson denjësisht dhe të bënë standardizimin e shumë punëve dhe të drejtave që ligjërisht u takojnë në shtetin helvetik.
Dëshira e unifikimit ka qenë e kahmoçme, por duke marrë parasysh se është një proces jo i lehtë, me shumë armiq të brenshëm dhe të jashtëm, ndonëse pak i vonuar, por gjithësesi për ta uruar dhe për ta bërë përhajr.
Kam dëshirën e madhe dhe sigurisht që është një kërkesë, jo vetëm nga unë, KMSHZ të vëndoj në prioritet dhe të angazhohet maksimalisht në vënjen e themeleve, hapjen dhe shtrirjen e shkollave shqipe nëpër të gjithë qendrat që i ka si anëtare, në të cilat sado pak, krahas marrjes së njohurive dhe mësimeve fetare të kultivohet dhe të ruhet gjuha shqipe.

Në viset shqiptare (e kam fjalën për në Ballkan), shqiptarët janë të organizuar në parti politike dhe në OJQ të ndryshme që mbrojnë interesa të caktuara dhe të drejta të caktuara. Dimesioni atdhetar, fetar, kulturor, artistik apo albanologjik që krijojnë këto shoqata për t`i dhënë dimensionin real: gjeografik dhe historik trojeve shqiptare, është shumë herë më i madh se dimensioni që krijojnë shoqëri të ndryshme në trojet shqiptare, sepse Shoqatat dhe Komunitetet e krijuara kudo jashtë trojeve shqiptare duhet të bashkëpunojnë sa më afër me vendin e tyre dhe me njëra-tjetrën, të sjellin mendimin e tyre dhe ta bëjnë pjesë të shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim kanë se çfarë të mësojnë jo vetëm nga shoqatat, shoqërit dhe unionet e krijuara përgjatë këtyre shekujve të fundit, por edhe nga KMSH, në Zvicër.
Krejt për fund, gëzohem që më 20-09-2020, dita e diel, muaji i shtatorit, në xhaminë e Regensdorfit, në Zvicër, të gjithë qendrat shqiptare-islame, apo siç ne jemi mësuar t’i emërtojmë, xhamitë bëhen bashkë dhe do të përfaqësohen nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër.
Për hajr, punë të mbarë dhe shumë suksese për KMSHZ.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *